HYN NË FUQI LIGJI PËR AGJENCINË KOSOVARE PËR KRAHASIM DHE VERIFIKIM TË PRONAVEPrishtinë, 25 nëntor 2016 Pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, datë 3.11.2016, ka hyrë në fuqi Ligji Nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. Themelimi i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës është rezultat i Marrëveshjes për kthimin, krahasimin dhe verifikimin e regjistrave kadastralë të arritur në Bruksel në vitin 2011 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Ky ligj ka të bëjë me zgjidhjen e kërkesave lidhur me pronën e paluajtshme private, duke përfshirë pronën bujqësore dhe pronën private komerciale si dhe krahasimin e zgjidhjen e dallimeve në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të marra në Kosovë nga autoritetet serbe para qershorit vitit 1999 dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare. Me dispozitat kalimtare të këtij Ligji përcaktohet se pjesë të mandatit dhe përgjegjësive të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP) dhe Drejtorisë për Çështje Pronësore Banesore (DÇPB) të bartura në këtë Agjenci do t’i barten Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës kryesisht ato pjesë që kanë të bëjnë me implementimin e vendimeve të Komisionit për Kërkesa Pronësore Banesore si dhe pronave që aktualisht janë nën administrimin e AKP-së. Po ashtu, Me hyrjen në fuqi të këtij Ligji, asetet fizike, obligimet kontraktuale dhe ato buxhetore të Agjencisë Kosovare për Prona dhe asetet që më parë i janë bartur Agjencisë Kosovare për Prona nga Drejtoria për Çështje Pronësore dhe Banesore, do t’i barten Agjencisë së re. |